Qeveria e Kosovës nuk do t’i ekzekutojë pagat e muajit shtator për grevistët, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Kryeziu tha se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët kanë dalë në punë, të cilët kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, tha Kryeziu.
Ministria e Financave nuk do t’i kompensojë pagat për punonjësit e sektorit publikë që kanë mbajtur grevë gjatë muajit të kaluar, ka bërë të ditur sot edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka thënë sot se moskompensimi financiar për punonjësit në grevë, mbështetet në ligj.
“Po e qartë, megjithatë Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë”, tha Kusari-Lila, raporton Paparaci. “Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se pushteti është në pritje të azhurnimit të listave të punonjësve të cilët kanë qenë në grevë nga organizatat buxhetore, kryesisht komunat.