Qeveria në krizë të numrave, a mund të ketë përsëri zgjedhje të parakohshme në Kosovë?

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti po vuan nga numri i vogël i deputetëve. Tash e disa seanca, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike nuk po arrin të votohet, ani pse e nevojshme është vetëm shumica e thjeshtë prej 61 deputetësh.

E lidhur me këtë çështje, në opinion qarkullojnë zëra se Qeveria e Kosovës mund të zgjerohet, por në anën tjetër edhe një palë zgjedhje të tjera të parakohshme nuk janë të pamundshme, shkruan lajmi.net.

Analisti dhe njohësi i problemeve politike, Shkodran Ramadani tha për lajmi.net se zgjedhjet në Podujevë janë determinues i situatës politike në nivel qendror.

Sipas tij, nëse Lidhja Demokratike e Kosovës i fiton zgjedhjet në Podujevë, ka të ngjarë më tepër që te ketë zgjedhje edhe në nivel qendror, por nëse VV fiton në Podujevë, atëherë LDK do të tentojë t’i shtyjë zgjedhjet.

“Për momentin më duket se partitë nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët për presidentin dhe zgjedhjet janë opsion më i mundshëm të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, por rol do të luaj edhe rezultati zgjedhor në Podujevë. Shembull nëse VV-ja fiton, LDK-ja do të jetë edhe më e pa interesuar për zgjedhje sepse do të humbiste bastionin kryesor që nuk e ka humbur asnjëherë, por kjo do ta forconte LVV-në dhe të tjerët do të ishin më objektiv për presidentin.”, tha Ramadani për lajmi.net.

Ramadani gjithashtu tha se më fitoren e Vetëvendosjes në Podujevë, Haradinaj do të fitojë terren për presidentin pasi LDK-ja dhe PDK-ja mund ta pranojnë kërkesën e tij.

“Po ashtu, nëse fiton LVV-ja në Podujevë, Haradinaj fiton terren politik për presidentin dhe ndoshta LDK-ja dhe PDK-ja do ta pranon kërkesën e tij, por po flitet që z.Haradinaj mund të ftohet nga Specialja dhe nëse potencialisht e fton Specialja atëherë ndryshojnë gjërat”, tha ai.

Tutje ai tha se përfundimi i krejt krizës politike aktuale në vend nuk mund të dihet nga ky pozicion, por sipas tij PDK duket e pa interesuar të jetë pjesë e qeverisë.

“Gjykata Kushtetuese gjithashtu po e trajton çështjet e dërguara nga Vetëvendosja për qeverinë Hoti, përfundimi i krejt kësaj nuk dihet, gjithçka është e hapur deri në momentin e fundit, por po besoj që zgjedhjet për momentin janë mundësi më reale. PDK-ja nuk hyn në qeveri nëse nuk e merr postin e presidentit dhe nuk po e lëshon AAK-ja, pa AAK-në nuk bëhet, sido që të jenë gjërat, PDK vështirë se do të futet në qeveri.”, tha në fund Ramadani.

E analisti Jeton Brajshori shprehet qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti përveç se është kontestuar juridikisht, është më e dobëta që nga pas lufta në Kosovë.

“Pas rënies së qeverisë Kurti në kohë pandemie, kemi pasur një qeveri të shumë përfolur nga kryeministri Hoti. Vetë mënyra se si është bërë qeveria, me votën vendimtare të pas mesnatës nga deputeti Haxhi Shala, i shtyrë nga presidenti Thaçi dhe kryetari i AAK-së, si dhe vota diskutabile e deputetit Etem Arifi që tani i është konfirmuar aktakuza për keqpërdorime fondesh dhe se vota e tij është dërguar në gjykatën kushtetuese për verifikim të ligjshmërisë të saj. Kryeministri Hoti kishte ardhur me shumë premtime sidomos në aspektin ekonomik, por deri me tash nuk ka asgjë që do të mund të bënte ndonjë ndryshim të dukshëm”, tha Brajshori.

Brajshori tha se qeveria ka bërë shumë skandale që nga dështimi i votimit të Ligjit të Rimëkëmbjes e deri tek menaxhim i dobët i pandemisë.

“Qeveria dështon për të 7 herë ta votojë Ligjin e Rimëkëmbjes shkaku se nuk i ka numrat, ndërsa opozita nuk e voton me arsyetimin se ligji ka shumë mangësi të cilat qeveria nuk është e gatshme t’i pranojë. Vjedhja e 2 milionë eurove nga thesari i shtetit dhe emërimet e konsujve pa kurrfarë kriteri, menaxhimi i dobët i pandemisë nga ministri Zemaj, e bëjnë këtë qeveri më të dobët që nga paslufta.”, u shpreh ai.

Sipas tij, riformatimi i qeverisë do të ishte edhe humbje kohe.

“Riformatimi i qeverisë do të ishte vetëm humbje kohë dhe se kyqja eventualisht e PDK-së, do ta dëmtonte më shumë këtë të fundit, sepse do të gjendeshin në një situatë të vështirë, e cila ka ardhur si pasojë e keq-qeverisjes së kryeministrit Hoti i cili cilësohet që nuk e ka përkrahjen e sovranit dhe së është dëshmuar se atij nuk i raporton askush nga partnerët dhe se s’ka fare fuqi ndaj tyre.”, tha ai më tutje.

Analisti Brajshori tutje shtoi se LDK po i vardiset PDK-së, por këta të fundit kanë mbajtur qëndrime konstruktive dhe kanë treguar maturi karshi proceseve që po ndodhin, dhe tha se PDK duhet t’i qëndroj besnike opozitës dhe premtimit pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Kryetari Mustafa ka filluar që t’i vardiset PDK-së duke përmendur shpesh se presidenti i takon atyre dhe në këtë mënyrë të ikë nga zgjedhjet duke ditur se LDK-ja ka rënie të madhe të votave. Pas shkuarjes në Gjykatën Speciale të kryetarit të PDK-së, kjo parti është mbajtur mjaft mirë dhe po tregon kujdes e maturi karshi proceseve që po ndodhin dhe për këtë arsye PDK duhet t’i qëndrojë besnike fjalëve të z.Veseli se pas 6 tetorit PDK do të jetë në opozitë. Pra, zgjidhja më e mirë do të ishte që vendi të shkojë në zgjedhje dhe se sovrani të vendos se kush do të qeverisë, qeveria edhe ashtu është “lodhur” nga disa tema të ndjeshme dhe është momenti që ose të dorëhiqet ose të shkarkohet”, tha Brajshori në fund.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar vazhdimisht se do të jetë pjesë e qeverisë së Avdullah Hotit, por disa zyrtarë të kësaj partie nuk e kanë hedhur poshtë si mundësi.

Mbetet të shihet pas zgjedhjeve në Podujevë se cili do të jetë epilogu i krizës aktualë politike në vend në nivel qendror.