Qeveria ndryshon listën e kandidatëve për Bord të OSHP-së


Qeveria e Kosovës ka ndryshuar listën e emrave të të propozuarve për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, në një mbledhje të mbajtur online.

Në vend të Arbnor Tmavës është propozuar Agon Ramadani.

Më 9 mars, Qeveria ia pati propozuar Kuvendit emrat e Nita Bejtës, Milot Spahiut, Arbnor Tmavëz, Vedat Peterqoit, Faruk Rexhajt, Bujar Lushakut, Batisha Ibrahimit, Dafina Gashit, Vjosa Gradinaj-Mexhuanit dhe Kimete Gashit.

Qindra miliona euro janë bllokuar në institucionet e ndërmarrjeve publike, si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të OSHP-së qe më shumë se një vit.

Për qindra tenderë, bizneset kanë paraqitur ankesa e institucionet kanë ndalur derdhjen e miliona eurove, ngase ato duhet që në bazë të Ligjit për Prokurim të shqyrtohen nga bordi i saj. Kësisoj, me qindra afate ligjore për vendim rreth ankesave janë tejkaluar.