Qeveria e Kosovës ka vendosur të enjten në një mbledhje elektronike që të ndajë 10 milionë e 300 mijë euro për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Siç ka njoftuar zyra e Kryeministrisë, Qeveria ka miratuar po ashtu vendimin për miratimin e ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të klasifikimit të koeficientëve lidhur me Ligjin e Pagave.
Në mbledhje është miratuar po ashtu vendimi për themelimin e Komisionit për Shtesën e kushteve specifike të punës.
“Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 128-të, kësaj radhe në formë elektronike, ka miratuar: Vendimin për themelimin e Komisionit për Shtesën e Kushteve Specifike të Punës. Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 29/112 të datës 13 dhjetor 2022 për miratimin e Planit të Veprimit për Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio-Ekonomik të Krizës Energjetike. Vendimin për miratimin e ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të klasifikimit të koeficienteve me qëllim të llogaritjes së pagës bazë për të punësuarit në sektorin publik, sipas Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për të cilët është i nevojshëm procesi i klasifikimit të vendeve të punës. Vendimin për ndarjen e 10,300,000.00 euro për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftim.