Qeveria ndan 20 milionë euro për KEK-un e 17.5 milionë euro për KOSTT-in


Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen elektronike të mbajtur të premten, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik.

Sipas njoftimit të Qeverisë gjithsej janë ndarë 37 milionë e 500 mijë euro, nga të cilat 20 milionë euro janë ndatë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe 17 milionë e 500 mijë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

“20 milionë euro janë ndarë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me rastin e vendosjes së Obligimit të Shërbimit Publik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe 17 milionë e 500 mijë euro janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Mjetet sipas këtij vendimi merren nga kursimet buxhetore.

“Ky vendim shërben në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 02/117 përmes të cilit, në bazë të interesit publik, KEK-ut, si ndërmarrje publike e energjisë, i është vendosur obligimi për shërbim publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023 deri në 185 GWh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit KEK-u obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e Kosovës për energji elektrike.

“Vendimi në të njëjtën kohë i përgjigjet kërkesës me Nr.prot.1704, të pranuar nga KOSTT, për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, si dhe kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë me Nr.prot. 3733”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.