Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë afër 10.9 milionë euro për implementimin e pakos emergjente fiskale.
Sipas njoftimit për media, ky vendim është marrë në mbledhjen e 32-të të Qeverisë, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Nga to, 9,400,000.00 euro janë ndarë për Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe 1,500,000.00 euro për Ministrinë e Financave dhe Transfereve.
“Në harmoni me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2020, Ministria e Financave dhe Transfereve, ka kërkuar nga Qeveria që të aprovojë vendimin për ndarjen e 10,900,000.00 eurove për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin e datës 30 mars 2020.
Mjetet e ndara do të merren nga kontigjenca në Ministrinë e Financave dhe Transfereve në kategorinë e shpenzimeve dhe mallrave dhe nga kategoria e subvencioneve dhe transferove”, thuhet në njoftim e Qeverisë për media.