Qeveria miraton Raportin Vjetor Financiar për vitin 2020

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese/elektronike, e 70-ta me radhë, në të cilën ka miratuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2020.


Ky raport financiar pasqyron në mënyrë të saktë dhe të drejtë financat dhe transaksionet financiare të institucioneve të Kosovës nga Buxheti i Republikës së Kosovës, fondet në mirëbesim, grantet e përcaktuara të donatorëve, të hyrat vetanake, të hyrat e dedikuara, huamarrjen dhe shpenzimet për menaxhimin e pandemisë COVID-19 për vitin fiskal 2020.

Ky raport është në përputhje të plotë më kërkesat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe është në pajtim më standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik të bazuar në para të gatshme.

Sipas këtij raporti pranimet e përgjithshme për vitin 2020 kanë qenë 2,206,647.000, euro, që është për 16 milionë e 275 mijë euro më pak se në vitin 2019, ndërsa pagesat kanë qenë 2,334,943.000 euro, krahasuar me vitin 2019 janë më të mëdha për 2 milionë e 817 mijë e 503 euro.


Deficiti nga realizimi prej 5.2 për qind është tregues që Qeveria e Republikës së Kosovës ka respektuar në plotni kufirin e lejuar të deficitit (6.5 për qind) si dhe kufirin e planifikuar (2 për qind) të përshtatur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pas miratimit në Qeveri ky raport i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.