Qeveria në detyrë ka miratuar nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi me institucionet ndërkombëtare financiare.
Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se edhe sot mbledhja ishte korresponduese dhe u morën disa vendime, ndër to edhe nisma për negocimin me institucionet financiare, si Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe anëtarët e tjerë të Bankës Botërore; Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; Fondi Monetar Ndërkombëtar; Banka Islamike për Zhvillim; Agjensionet zyrtare për përkrahjen (financimin) e eksportimit; Institucionet zyrtare financiare bilaterale të vendeve të jashtme ose të Bashkimit Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve.
“Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas këtij vendimi për marrëveshjet financiare të huas është 250 milionë euro ose ekuivalent, me afat të maturimit deri në 15 vite dhe me normë të interesi jo më të lartë se 3 për qind”, thuhet në komunikatën e Qeverisë në detyrë.
Po ashtu, u mor vendim i ri për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Vendimi synon të racionalizojë shpenzimet e parasë publike për përdorimin e telefonave në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim shfuqizohet Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 22.01.2008, si dhe pezullohen nenet ( 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 ) të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës. Vendimi përcakton zyrtarët përfitues të telefonisë mobile dhe shumat e aprovuara që do të mbulohen nga buxheti. Gjithashtu vendimi përcakton edhe të drejtën dhe shumën e lejuar të harxhimeve edhe në telefonin fikse në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, theksohet në komunikatën e Qeverisë.