Qeveria e Kosovës të enjte ka miratuar masat e reja kundër COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se duke u bazuar në rritjen e rasteve të reja me koronavirus në vend masat duhet të hyjnë në fuqi sa më parë, njofton Klankosoga.tv.
“Për shkak se në shtator fillon procesi mësimorë, ne kemi parapare që masat të jenë deri më 10 shtator, por nëse situata epidemiologjike ka ndryshime, ne do të analizojmë masa ku do të përfshihen institucionet private dhe publike”, deklaroi ai.
Pro masave të reja votuan të gjithë.
“Me vendimin e ri, nga 20 gushti e deri më 10 shtator, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen dasmat, fejesat, ahengjet familjare e të ngjashme,tubimet masive, të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, do të lejohet vetëm me Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë”.
“Mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, lejohet deri në ora 01:00. Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 50 përqind e kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se treqind (300) të ftuar në rastet kur 50 përqind e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër”.
“Distanca në mes të tavolinave duhet të jetë tri (3) metra. Për mbajtjen e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, obligohet respektimi i udhëzuesit të veçantë për ahengje”, janë disa nga masat e reja.