Qeveria miratoi një varg rregulloresh për të punësuarit në sektorit publik

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një varg rregulloresh lidhur me Ligjin e Pagave në Sektorin Publik.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se ndër të tjera janë miratuar edhe Rregullorja për Pagën Bazë dhe Përvojën në Punë dhe Rregulloren për Shtesa në sektorin publik.

Po ashtu, sipas njoftimit janë miratuar edhe Rregullorja për Kompensimin për kujdestari, punën gjatë natës dhe punën jashtë orarit të punës dhe Rregullorja për shtesën funksionale.

Këto janë të gjitha rregulloret që janë miratuar në këtë mbledhje:

– Rregullorja për Shtesën për Licencë të Avancuar për Nëpunësin e Arsimit Para-universitar.

– Rregullorja për Shtesën e Nëpunësit të Sistemit Shëndetësor.

– Rregullorja për Shtesën Funksionale për Krijuesin dhe Performuesin e Artit dhe të Kulturës.

– Rregullorja për Kompensimin e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, që Ushtrojnë Detyrën Jashtë Vendit.

– Rregullorja për Pagën Bazë dhe Përvojën në Punë për të Punësuarit në Sektorin Publik.

– Rregullorja për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzimet e Përfaqësimit.

– Rregullorja për Kompensimin për Kujdestari, Punën gjatë Natës, dhe Punën Jashtë Orarit të Punës.

– Rregullorja për Shtesat për të Punësuarit në Sektorin Publik.

– Rregullorja për Shtesën Funksionale.

– Rregullorja për Kompensimin për Funksionin Shtesë.

– Rregullorja për Ekspertët që përcakton rregullat dhe procedurën për zbatim të shtojcës 14.4 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës ka bërë publik vlerën e koeficientit të pagave për të punësuarit publikë, i cili është 105 euro.

Ky vendim ka nxitur reagimet e të punësuarve të këtij sektori dhe opozitës të cilët e konsiderojnë vlerë të ulët.

Shumë prej tyre kanë paralajmëruar procedimin në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit të Pagave.