Qeveria: Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë në situatën emergjente në veri

Qeveria e Kosovës në detyrë ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë plotësisht në situatën emergjente në komunën e Mitrovicës Veriore dhe në Zveçan.

Këtë e ka thënë për KOHA-n zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën e emergjente të shëndetit publik në komunën e Mitrovicës Veriore dhe Zveçan. Ministri Vitia është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna”, tha Kryeziu.

Ai ka shtuar se po ballafaqohemi me një krizë shëndetësore për çka të gjitha institucionet e përfshira janë në koordinim të ngushtë që ta tejkalojmë ketë krizë sa më parë që është e mundur dhe sa më pak dëme.

“Ky virus nuk njeh racë e as nacionalitet prandaj trajtimi i tij mbi këtë bazë konsiderojmë se as nuk është i mundur e as nuk duhet të bëhet. Qeveria vazhdon të jetë e përkushtuar në implementimin e të gjitha masave të marra ndaj Covid-19. Këto masa kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë sot janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore, raporton KOHA.

Kjo për shkak se Mitrovica e Veriut, me vendim të Shtabeve të Krizave, është në karantinë, për shkak të situatës me koronavirus.