Pas shtimit të rasteve në ditët e fundit me COVID-19, kryeministri Avdullah Hoti, do të zhvillojë sot një takim me krerët e institucioneve shëndetësore të Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim drejtuesit e institucioneve shëndetësore. Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00. Pas takimit do të ketë konferencë për media”, thuhet në njoftim.
Mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 178 raste të reja me COVID-19, kurse 50 janë shëruar.
“Janë testuar gjithsej 346 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 178 raste pozitive. Sot më 05 korrik 2020, janë shëruar 50 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1,874 raste, kurse raste aktive 1,416”, njofton IKSHPK.