Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Tiranë ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ua ka ndalë pensionet veteranëve të UÇK-së nga Shqipëria.
Sipas kësaj shoqate, vendimi i Qeverisë Kurti është në kundërshtim me Ligjin për veteranët e luftës së UÇK-së.
“Ka më se dy muaj që Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurti, në kundërshtim me ligjin aktual të veteranëve dhe premtimet e fushatës zgjedhore, ua ndali pagesën, të emërtuar qëllimisht pension, në fakt është supliment për kontributin në luftë, që merret në të gjithë botën bashkë me pensionin pasi del në pension, si për shembull në Shqipëri ku çdo veteran i Luftës Dytë Botërore që ka dalë në pension, merr suplimentin për kontributin gjatë luftës nacional çlirimtare dhe për më tepër këtij suplimenti i shtohet suplimenti tjetër për ata që morën pjesë vullnetarisht në luftën e Spanjës dhe për partizanët e luftës nacionalçlirimtare që luftuan deri në Vishegrad në Luftën e dytë Botërore. Mirëpo Qeveria Kurti, në një ditë të trazuar në mëndje ligjërisht nga bajraktarizmi karrierist e megalomania e theksuar politike për të qenë dikushi, në të hyrë të muajit qershor 2021, pa biseduar, konsultuar e ballafaquar me ata që derdhën gjak, ata që u gjymtuan dhe ata që sakrifikuan jetën e familjen për këtë shtet, në ulëset e të cilit janë ulur gabimisht politikanë të pa arsyeshëm, ndalon shpërndarjen e suplimentit për kontributet e luftës, i ashtuquajtur qëllimisht pension, në mënyrë të veçantë për luftëtarët vullnetarë të ardhur nga trungu amë – Shqipëria, me pretekstin se ata bien ndesh me ligjin në Kosovë, ku sipas ligjit, nuk kanë të drejtë të marrin dy pagesa”, është thënë ndër të tjera reagimin e kësaj shoqate.
Më tutje, në këtë reagim është thënë se veteranët e UÇK-së nga Tirana kanë ardhur vullnetarisht për të luftuar për çlirimin e Kosovës.
“Erdhëm në luftë për çlirimin e Kosovës vullnetarisht, sepse e ndjemë të nevojshme, të bashkonim forcat për çlirimin e Kosovës, për t’i treguar botës përparimtare se jeta vëllazërore që përshkon gjakun e çdo shqiptari, është e do të mbetet lufta e përbashkët që kemi bërë gjatë historisë për çlirim kombëtar. Nisur nga kjo ndjenjë e lartë patriotike, u rreshtuam në formacionet UÇK-së, atje ku kish nevojë ajo për ne si luftëtarë e ushtarakë të mirëfilltë karriere. Pas mbarimit të asaj lufte genocidale, një pjesë e vogël u inkuadrua në TMK, ndërsa të tjerë u rikthyen pranë familjeve të tyre”, është thënë në këtë reagim, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që veteranëve të UÇK-së nga Tirana të u njihet e drejta për marrjen e pensionit.
“Shpresojmë se drejtësia në Kosovë si element kryesor pas pushtetit legjislativ, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shqiptarët e kudo ndodhur, do të na japin të drejtën ligjore, ne luftëtarëve të trungut amë, që sakrifikuan jetën në luftë për çlirimin e trojeve etnike, krahas vëllezërve tonë shqiptarë të Kosovës shqiptare”, është thënë në këtë reagim.
Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-ës Tiranë është Spiro Butka.