Qeveria: Kurti ishte gati të nënshkruante marrëveshjen, Vuçiqi refuzoi

Qeveria e Kosovës ka pohuar se kryeministri Albin Kurti ishte gati të nënshkruante dje marrëveshjes bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bazuar në propozimin franko-gjerman.

Në një deklaratë për media të martën, qeveria ka thënë se teksti i propozimit franko-gjerman gjatë negociatave të së hënës, mbeti i pandryshuar por “pala serbe refuzoi nënshkrimin” e saj.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Qeveria ka thënë se hapi i radhës në dialog janë fillimi i diskutimeve për planin e zbatimit.

“Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, ka thënë qeveria.

Sipas qeverisë, marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.

“Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, ka pohuar Zyra për Media e Qeverisë së Kosovës.

Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.