Qeveria Kurti e kthen në pikën zero projektin 110 milionësh


Parku i Erës në Bajgorë i nisur gjatë kohës së Ramush Haradinajt në pushtet, ishte një ndër arritjet më të mëdha të Qeverisë Kurti sipas Qeverisë Kurti. Sidoqoftë, kjo qeveri e kishte e e ka mundësinë që të nisë e bitisë një projekt të ngjashëm, por për të cilin i janë “pështjellur kabllat”.

Ishte i pari për të marrë meritat e tjetrit kur u finalizua projekti i energjisë së erës në Bajgorë. Por, tash kur i erdhi radha që vetë ta realizojë një projekt të ngjashëm, e ktheu në pikën zero, ani pse puna veç ishte kryer.

Vushtrria rrezikon të mbetet pa investim prej 110 milionë eurove, sepse ministrja e Kurtit, Rozeta Hajdari, nuk e procedoi tutje projektin pa dhënë asnjë sqarim, apo ndoshta më mirë të mos investohet fare, sesa të lëvdohen me punën e qeverive paraprake.

Kompania Franceze “Akuo Energy” planifikon të investojë në Vushtrri 110 milionë euro në energji të erës. E njëjta kompani ka investuar në Maqedoninë e Veriut, ku procedurat burokratike i ka kryer për një muaj. Tek ne, ky investitor i jashtëm po pret tash e tri vjet.

Komuna e Vushtrrisë dhe Çiçavica Wind Farm, memorandumin e kishin nënshkruar në maj të 2019-ës. Në dokumentin e siguruar nga Nacionale, shihen vulat dhe firmat e investitorit dhe ish-kryetarit të Komunës, Xhafer Tahirit.

Me t’u nënshkruar memorandumi, projekti procedohet tutje nëpër ministri, e pastaj për t’u votuar në Kuvend si investim strategjik.

Qeveria e Avdullah Hotit kishte kryer paraprakisht të gjitha procedurat burokratike që projekti të realizohej, madje vetë ish-kryeministri Hoti kishte nënshkruar vendim ekzekutiv që projekti të procedohej tutje.

Por, ky projekt është harruar prej që në krye të Ekzekutivit erdhi Albin Kurti. Gazeta Nacionale i ka dërguar pyetje Ministrisë së Ekonomisë, lidhur me këtë projekt, por si shpeshherë përgjigja ka munguar.

Rozeta Hajdari mund t’i injorojë gazetarët, por s’mundi ta injorojë pyetjen e deputetit Rashit Qalaj në seancën e Kuvendit të mbajtur më 15 mars të këtij viti.

“Kryeministri ka gjetur disa vendime nga qeveria e kaluar e cila ka aprovuar një investitor strategjik për prodhimin e energjisë, është fjala për Çiçavica Wind Farm. Derisa qeveria e kaluar udhëzon të negociojë me këtë investitor dhe autorizon sekretarin që këtë vendim ta sjellë në Kuvend, e këtu [në Kuvend] të votohet për investime strategjike në sektorin e energjisë, por ne kemi zgjedhur ta kalojmë një tjetër investitor strategjik e që ka qenë shumë kontrovers dhe anti-ligjor që quhet Kosmonte Foods”, tha Qalaj.

Rozeta Hajdari tha se ai projekt i ka devijuar në kriteret për ambient, ama

“Ju garantoj se jemi në kontakt të përditshëm me këtë investitor. Më vjen keq për proceset që i kemi trashëguar sa i përket legjislacionit të investime strategjike. I cili proces ka devijuar në kriteret për ambient dhe kriteret për origjinën e fondeve”, tha Hajdari.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në Minitrinë e Liburn Aliut për Planifikim Hapësinor. Brenda kabinetit të Liburn Aliut kanë thënë për Nacionale se s’e kanë idenë për një projekt të tillë, madje i njëjti as nuk ekziston në dosjet tyre.

Përmes një emaili që ka rrjedhë deri te gazeta Nacionale, Rozeta Hajdari ua bën me dije kolegëve si është refuzuar projekti. Kësaj radhe, Hajdari thotë se projekti ka të bëjë me tarifa nxitëse, andaj me krenari ministrja thotë se benefite të tilla nuk ka më.

“… ky investim ka të bëjë me tarifa nxitëse në energji dhe duke e pasur të qartë se më nuk ka benefite të tilla për sektorin e energjisë, ne do të rikthejmë edhe njëherë lëndën për shqyrtim dhe vlerësim tek Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike”, shkruante Hajdari.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se deri tash nuk ka pasur asnjë shpjegim pse nuk po procedohet një projekt kaq i madh dhe në interes të të gjithëve. Por, ka premtuar se do të kërkojë takim me ministren për ta pyetur rreth kësaj çështjeje.

Rreth mosrealizimit të projektit qindmilionësh, ka reaguar edhe ish-kryetari i Vushrrisë, Xhafer Tahiri. Profesori ka thënë se pikërisht paaftësia e qeverisë, po i largon investitorët e huaj.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fpermalink.php%3Fstory_fbid%3D1820729798124225%26id%3D222533374610550&show_text=true&width=500

Tash kur nuk po dihet saktësisht pse një investitor i jashtëm s’po mund t’i investojë mbi 100 milionë euro si rezultat i procedurave burokratike, ne ia kujtojmë VV-së kur thoshte se politika s’po angazhohet për investime të huaja në Kosovë.

“Politika në pushtet është angazhuar në kuptimin formal, jo edhe në atë përmbajtjësor, të joshë investime të huaja në Kosovë. Praktika ka treguar që investitorët e huaj është vështirë për t’i sjellë në Kosovë, edhe pse kjo do të ishte shumë e nevojshme, për shkak të klimës së pasigurt për investime të krijuar nga vetë pushteti aktual. Ato pak investime që janë bërë në Kosovë, janë bërë kryesisht në fushat ku përfitimi është shumë i madh dhe investimi shumë i vogël”, thuhej në njërën prej komunikatave të publikuara në adresën zyrtare të Vetëvendosjes në Internet. Nacionale