Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se takimet e radhës në nivel të kryenmegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet të enjten e javës së ardhshme.
“Javën e ardhshme, më 24 tetor, do të mbahen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, në nivel të kryenegociatorit”, ka thënë këshilltari i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.
Ai ka folur edhe për temat që do të diskutohen.
“Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, ka deklaruar Kadiu.
Nga 2 korriku i këtij vitit palët kanë zhvilluar vetëm takime dypalëshe, ku i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka pritur ndaras kryenegociatorët.
Pas takimit të 2 korrikut Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq patën dalë me qëndrime të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.