Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në një reagim publik thotë se Ministria e Financave ka shtyrë për vitin 2026 afatin e zbatimit të normës tatimore progresive për pronat komerciale.
AKK thotë se ky vendim i Qeverisë është marrë pas presionit dhe insistimit të tyre, transmeton Telegrafi.
“Në mbledhjen 227 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Në elaborimin e dispozitave të këtij Ligji, ministri Murati ndër të tjera njoftoj se është futur dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale për vitin 2026”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje, theksohet se “siç dihet Asociacioni i Komunave të Kosovës ka lobuar dhe ka argumentuar se kjo normë tatimore është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale”.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës mirëpret këtë vendim të Qeverisë duke vlerësuar se kërkesa jonë ka qenë e arsyeshme dhe e argumentuar me fakte se kjo është e panevojshme në këtë fazë. Vlen poashtu të ceket se shumica e komunave të Republikës së Kosovës ia kanë ulur tatimin në pronë qytetarëve për rreth 33 %”, vijon njoftimi.
Ndryshe, ekspertët e ekonomisë ishin shprehur të shqetësuar me vendimin e Qeverisë për rritjen e tatimit për pronat komerciale.