Gjithsej 55 zëvendësministra pritet t’i ketë Qeveria Hoti. Shumica e tyre janë emëruar tashmë, derisa janë në pritje për t’ia nisur punës edhe 10 të tjerë. Express u sjell emrat e zëvendësministrave dhe koston e tyre për një muaj.
Një prej kritikëve më të mëdhënjë të Qeverisë Haradinaj për numrin e zëvendësministrave, ishte Avdullah Hoti si Shef i Grupit Paralamentar të LDK’së.
Por, tash kur ka ardhur në krye të ekzekutivit, edhe ai po shkon të njejtës rrugë.
Deri tash, Hoti ka emëruar 45 zëvendësministra, derisa ditëve në vijim pritet që t’i emërojë edhe 10 të tjerë.
Më së shumti zëvendësministra do të ketë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.
Bazuar në listën me emrat e zëvenend̈ësministrave që e ka siguruar Gazeta Express nga Zyra e Kryeministrit, Besian Mustafa, Vlora Dumoshi e Blerim Kuqi, do të kenë nga pesë zëvendës, derisa më së paku zëvendës do të ketë Goran Rakic, përkatësisht dy zëvendësministra.
Sipas një përllogaritje të thjeshtë, zëvendësministrat e Qeverisë Hoti, pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 71 mijë euro në muaj dhe mbi 850 mijë euro në vit.
Për këto emërime, kreu i ekzekutivit tha sot se kjo është pjesë e marrëveshjes politike.
“Ato janë emërime politike, të cilat i bëjmë në bazë të marrëveshjeve politike me partnerët e gjithë koalicionit duke iu përmbajtur kritereve që i kemi vendosur në marrëveshje edhe numri i anëtarëve nëpër kabinete të ministrave dhe zëvendësministrave përcaktohet me rregullore të qeverisë“, ka deklaruar Hoti.
Ndryshe, më 30 janar të vitit të kaluar, duke folur për qeverinë Haradinaj që kishte thyer rekordet për emërimin e zëvendësministrave, Hoti kishte thënë se këto emërime janë për të akomoduar interesat e qeverisë që ka 24 parti.
“Janë emëruar rreth 80 zëvendësministra, të cilët kanë rreth 80 këshilltarë, si dhe disa koordinatorë nacionalë. Të gjithë këta vetëm për të akomoduar interesat e qeverisë që ka 24 parti, të cilat përfaqësojnë vetëm 1/3 e elektoratit”, kishte thënë ai.
Të njëjtën kritikë Hoti e kishte përsëritur edhe shumë herë të tjera gjatë kohës sa LDK-ja ishte në opozitë.
Sa ishte Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së në opozitë, ai e kishte quajtur qeverinë Haradinaj si më të madhen në botë.
“Qeveria e PAN-it do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë. Më 454 të emëruar politik, kryeministri me 35 këshilltar, 5 zv/kryeministra me 55 këshilltar, 21 ministri me 147 këshilltar, 80 zëvendësministra me 80 këshilltar të tyre, me pesë koordinator me nën koordinator dhe me asistentë e nën koordinator dhe përtej këtyre janë punësua edhe 1 mijë 200 veta me kontratë, prej cilëve 95 në zyrën e kryeministrit dhe 200 të tjerë në Telekom”, kishte thënë Hoti.