Qeveria e Kosovës reagon pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi

Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se po i përcjell zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë.

Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës thuhet nw njoftimin e qevrisw se kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare.

Reagimi i Qeverisë së Kosovës vjen pasi Dhomat e Specializuara në Hagë, i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

President Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit.

Nga Dhomat e Specializuara në Hagë (apo siç njihen në Kosovë: Gjykata Speciale) deri më tani janë konfirmuar pesë aktakuza, për të cilat është njoftuar publiku – kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.