Qeveria e konfirmon, Kurti udhëton për në Geeqi, do të realizojë edhe takime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për në Athinë, atje do të marrë pjesë në një darkë të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Në këtë darkë, e cila do të mbahet për 20 vjetorin e Samitit të Selanikut, të ftuar janë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për teve1.info ka bërë të ditur se kryeministri Kurti atje do të zhvillojë edhe disa takime.

“Kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Athinë ku do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut. Gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë edhe disa takime për të cilat do të njoftoheni me kohë”, tha Kryeziu.

Ndërkohë, sipas medieve greke, Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, për shkak të agjendës së paracaktuar.

Takimet e kryeministrit grek, si dhe darka informale, sinjalizojnë, siç thonë burimet qeveritare greke, rolin kryesor që luan Greqia si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore.