Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë të ditur se po shpeshtohet marrja në pyetje e shtetasve të Kosovës në pikë kufitare me Serbinë “Dheu i Bardhë”.
KMDLNj thekson se sipas deklaratave dhe rasteve që i drejtohen KMDLNj –së, përzgjedhja e atyre që po merren në pyetje është e qëllimshme dhe se po bëhet një presion ndaj tyre që të mos udhëtojnë në Serbi, ndërsa në pyetje është marr edhe ish kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
Kohëve të fundit KMDLNj –së i janë drejtuar qytetarë të Kosovës me deklarata se gjatë kalimit në pikat kufitare me Serbinë po merren në pyetje nga autoritetet serbe, pa ndonjë shkas dhe pa ua treguar arsyen e marrjes në pyetje. Sipas deklaratave dhe rasteve që i drejtohen KMDLNj –së, përzgjedhja e atyre që po merren në pyetje është e qëllimshme dhe se po bëhet një presion ndaj tyre që të mos udhëtojnë në Serbi duke ua shkëputur kontaktet familjare dhe të tjera.
Rasti i fundit i marrjes në pyetje është ai i Qëndron Kastratit, anëtar i PSD-së dhe ish – kryetar i Kamenices – Dardanës.
Sipas deklaratës së Qëndron Kastratit, më datë 13 gusht 2022 duke udhëtuar nga Prishtina në Vjenë përmes pikës kufitare me Serbinë, përkatësisht atë te “ Dheut të Bardhë “, në orën 22.00 dhe pas dy orë pritjeje, dy policë të uniformuar serbë e kanë shoqëruar te zyrat e tyre për t’u intervistuar nga një person i tretë.
Autobusi me të cilën udhëtonte i ndaluari Qëndron Kastrati, në pamundësi të presë për faktin se nuk dihej kur do të përfundojë intervistimi, ka vazhduar rrugën për Vjenë. Sipas deklaratës së Qëndron Kastratit, pas një kohe është intervistuar nga dy persona të pauniformuar në gjuhën angleze për faktin se komunikimi në gjuhën serbe nuk ka mundur të bëhet sepse Qëndroni nuk e njeh këtë gjuhë.
Fillimisht i është kërkuar ta ç’kyç telefonin në ndërkohë që Qëndron Kastrati, me një mesazh e kishte informuar KMDLNj –në për ndalesën nga autoritetet serbe.
Më tutje, në deklaratën e Qëndron Kastratit thuhet se ai është pyetur kryesisht për aktivitetin e tij politik, njohurit me dhe për figurat politike të Gjilanit dhe Kamenicës, nëse personalisht e njeh Fatmir Limajn, arsyet pse ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse mendon që përsëri të kandidojë për kryetar të Kamenicës.
Në insistimin e Qëndron Kastartit që t’i bëhet i ditur identiteti i intervistuesve, qëllimi i ndalimit dhe t’i sigurohet një mbrojtje ligjore përmes përfaqësuesit gjatë intervistimit, është liruar për t’u kthyer në Kosovë duke e pajisur me një dokument për hyrje – dalje, në gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik të cilin nuk e ka kuptuar për shkak të mosnjohjes së gjuhës serbe.
Në pyetjet e KMDLNj –së nëse janë kërcënuar, nëse është përdorur forcë apo ndonjë kërcënim tjetër, të
intervistuarit e mëparshëm si dhe Qendron Kastarti kanë deklaruar se sjellja ka qenë korrekte dhe se kanë kërkuar informata, kryesisht të natyrës politike për persona të caktuar dhe ngjarje të caktuara.
Asnjërit nga të intervistuarit autoritetet serbe nuk i kanë dorëzuar apo treguar ndonjë vendim të gjykatës përkatëse për ndalim dhe intervistim ndonëse është kërkuar nga të gjithë të intervistuarit.
Asnjërit nga të intervistuarit nuk i janë komunikuar të drejtat që iu takojnë si persona të ndaluar e që paraqet shkelje ligjore dhe shkelje e të drejtave të njeriut.
Sipas pohimeve të të intervistuarve, policia serbe apo hetuesit kanë kërkuar informata për institucione të sigurisë së Kosovës si për Policinë e Kosovës, FSK –në dhe AKI –në.
Për këtë arsye janë ndaluar dhe intervistuar persona që, sipas autoriteteve serbe kanë njohuri për këto institucione dhe personalitete politike dhe publike.
KMDLNj dënon këto ndalime dhe intervistime të shtetasve të Kosovës që për qëllim kanë kufizimin e lirisë së lëvizjes përmes presionit që po u bëhet gjatë intervistimit, në orë të vona dhe pa praninë e askujt që e përfaqëson palën e ndaluar.
Këto ndalime dhe intervistime, pa asnjë dyshim paraqesin shkelje e të drejtave të njeriut për faktin se edhe personat e ndaluar gëzojnë këto të drejta ndonëse me disa kufizime. Ndalimet dhe intervistimet janë të shënjestëruara dhe të përzgjedhura sikur edhe qëllimi i intervistimit.
KMDLNj fton autoritetet kosovare që të jenë më të vëmendshme dhe të ngrejnë në nivelin e duhur trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen.
KMDLNj thërret të gjitha rastet që ndalohen të paraqiten në zyrat e KMDLNj –së kurse, në raste kur kërkohet konfidencialiteti, kjo, pa asnjë dyshim do të respektohet.
Ndalimi dhe intervistimi i qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe po përdoret edhe për tensionim të situatës në kohën kur kjo situatë është e brishtë dhe me mundësi të përshkallëzimit.