Qëndrim Gashi e konfirmon se u lirua nga detyra e ambasadorit

Presidentja Vjosa Osmani ka liruar nga detyra e ambasadorit në Paris, Qëndrim Gashin. Këtë lajm e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, Gashi, i cili ka thënë se ky vendim ka ardhur pas kërkesës së tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Përmes statusit në Facebook, Qendrim Gashi e ka konfirmuar raportimin e Demokracia.com, për lirimin e tij nga detyra e ambasadorit.

Gashi ka falënderuar të gjithë liderët institucioanlë për përprahjen dhe bashkëpunimin, duke filluar nga ish-presidentija Atifete Jahajaga e cila edhe e kishtë emëruar në vitin 2015.

“Pas kërkesës sime të bërë në dhjetor të vitit të kaluar, sot kam pranuar dekretin e Presidentes për mbarimin e misionit tim në Paris. T’i shërbesh vendit si ambasador është privilegj. T’i shërbesh vendit me përkushtim, është obligim. Përfaqësimi i Kosovës në Francë, si dhe në Andorë e Monako, e për një kohë edhe në Portugali, ka qenë nder i jashtëzakonshëm për mua. Gjatë kësaj periudhe i kam mbrojtur interesat e vendit tonë dhe jam përpjekur t’i avancoj raportet e shkëlqyeshme me shtetet ku kam qenë i akredituar, në veçanti me Francën. Raporti ynë me Francën është esencial për të ardhmen tonë evropiane. Më lejoni ta shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj për bashkëpunim dhe përkrahje të gjithë liderët institucionalë shtetërorë nga viti 2016 e deri tash, duke filluar nga ish-presidentja Jahjaga e cila në vitin 2015 e mori nismën për të më emëruar. Deri në përfundimin zyrtar të misionit tim, do të vazhdoj ta kryej punën me përkushtim të plotë. Faleminderit shumë Kosovës dhe shtetit mik francez nga unë dhe Jeta (si dhe nga Jani e Noli) — mirupafshim së shpejti!”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani ka liruar nga detyra e ambasadorit në Shtutgart edhe Beqë Cufajn.

Demokracia.com ka raportuar se pas lirimit nga detyra të Ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, Osmani pritet ta emërojë Hafiz Gagicën në këtë pozitë, njeriun e afërt të saj dhe të ministres Gërvalla.

Ndërkohë, burimet thonë se ndër ambasadorët e liruar nga detyra janë: Shpend Kallaba – Ambasador në Hungari, Lirim Graiçevci – Ambasador në Holandë, Gëzim Kasapolli – Ambasador në Kroaci, Ylber Hysa – Ambasador në Mali të Zi, Avni Kastrati – Ambasador në Slloveni, Mimoza Ahmetaj – Strasburg, Gjergj Dedaj – Ambasador në Maqedoninë e Veriut, Avni Arifi – Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti – Ambasador në Katar, Hajdini Abazi – Ambasador në Australi, Arbër Vllahiu – Ambasador në Pragë, Afrim Nura – Konsull i Përgjithshëm në Mynih, Qëndrim Gashi – Ambasador në Francë, Nait Hasani – Shqipëri dhe Esat Brajshori – Konsull i Përgjithshëm në Zarë.