Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan bëhet me Serë Bujqësore

Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia në vend, në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, të burgosurit nuk i kanë ndërprerë aktivitete e tyre të përditshme.

Në vazhdën e aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, sot në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan,  të burgosurit kanë përfunduar ndërtimin e Serës Bujqësore.

E gjithë puna është kryer nga  tre të dënuarit e pavijoneve gjysmë të hapura dhe është udhëhequr nga stafi i QKFL-së, ndërsa në aspektin profesional është  mbikëqyrur nga  Divizioni i Inxhinieringut të SHKK-së.

Të burgosurit, përveçse kanë aktivitete të shumta edukative, sportive, ata çdo ditë e më tepër po zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat po shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë.
Falë punës së të burgosurve,  në seren bujqësore do të angazhohen në punë të burgosurat  e QKFL-së, me ç`rast produktet bujqësore nga kjo  serë do të përdoren për nevojat e institucioneve korrektuese.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes këtyre aktiviteteve synon të ndikoi në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur, e po ashtu edhe në racionalizimin e buxhetit të SHKK-së. Përveç kësaj, puna e të burgosurave brenda kësaj qendre normalizon edhe jetën e përditshme.

Në shenjë falënderimi për punën dhe angazhimin tyre, Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Heset Loku, ndau mirënjohje.