“Qëllimin nuk arrijnë ta fshehin”, Kurti i kapet PDK-së pasi dërgoi në Kushtetuese Ligjin për Byronë Shtetërore

Kryeministri Albin Kurti, ka shkruar për reformat në sistemin e drejtësisë që thotë se i ka bërë Qeveria e tij që prej kur morën pushtetin në Kosovë. 

Kurti ka thënë se formula e reformave në sistemin e drejtësisë udhëhiqet nga tri parime bazë, e që janë “Drejtësi në gjykatore. Drejtësi për viktimat. Drejtësi në trajtim”, transmeton Reporteri.net.

Teksa foli për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, ai përmendi Partinë Demokratike të Kosovës, ku tha se po të mos ta dërgonin ata në Gjykatën Kushtetuese, ky ligj tashmë do të ishte në zbatim.

Sipas Kurtit, PDK-ja “nuk arrijnë ta fshehin dot” motivin dhe qëllimin që kanë, me vendimin për ta çuar ligjin për Byronë në Kushtetuese.

“Po të mos ishte për Partinë Demokratike të Kosovës dhe kontestimin e ligjit nga ana e saj në Gjykatën Kushtetuese, tani do të ishim në proces e sipër të kompletimit të stafit të Byrosë, e cila punën do ta fillonte para fundit të vitit. Të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk ua mohon kush. Por motivin dhe qëllimin nuk arrijnë ta fshehin dot”.