Katër kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës e pranojnë se do ta kenë të vështirë qasjen në zyrat e tyre të reja, pasi shumica gjenden në objektet e strukturave paralele komunale serbe.
Ata thonë se janë të vetëdijshëm për sfidat, por presin ndihmë nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë nisjen e punës së tyre.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe politologu serb nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiq, thonë se pengesat e para me të cilat do të ballafaqohen këta kryetarë të zgjedhur, do të jenë: qasja në objektet komunale, dhënia e betimit solemn dhe ushtrimi efektiv i mandatit.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kanë garuar nëntë shqiptarë dhe një kandidate nga komuniteti serb.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi, kanë fituar në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht në Leposaviq. Ndërkaq, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kanë fituar në Zubin Potok, përkatësisht në Zveçan.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e ulët. Sipas KQZ-së, në të katër komunat kanë votuar 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues prej 45.095 qytetarësh me të drejtë vote.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka refuzuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Me gjithë thirrjet e autoriteteve të Kosovës për të dalë në votime, pjesëtarët e komunitetit serb nuk janë përgjigjur.
Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje, por nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetarët e zgjedhur më 23 prill, janë legalë, por nuk kanë legjitimitet praktik dhe përfaqësues, për shkak se nuk kanë marrë vota nga komuniteti serb, i cili është shumicë në katër komunat në veri të Kosovës.
Sipas tij, problemi i parë me të cilin do të ballafaqohen kryetarët e rinj, do të jetë qasja fizike në objektet e komunave, në shumicën e të cilave janë të vendosura edhe strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë.
“Afati 30-ditor, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, është relativisht i shkurtër. Në rast se nuk gjendet ndonjë modalitet kreativ, unë besoj që do ta ketë tejet të vështirë secili nga katër kryetarët e rinj që në objektin komunal, përkatësisht në kuvendet komunale, të arrijë ta japë betimin. Pra, është tejet e vështirë – për të mos thënë e pamundur – që këta kryetarë të arrijnë që këtë vullnet qytetar, të komunitetit shqiptar në këto komuna, ta materializojnë dhe ta jetësojnë në praktikë, duke funksionalizuar si institucione dhe duke dhënë shërbime”, thotë Cakolli.
Ai shton se edhe nëse kryetarët japin betimin, ky do të jetë një formalitet, i cili në praktikë nuk do të ketë fare efekt.
Mendim të ngjashëm ka edhe politologu serb, Ognjen Gogiq. Ai vlerëson se sfidë e madhe do të jetë kompletimi i asambleve komunale, para të cilave kryetarët, ligjërisht, duhet ta bëjnë betimin.
Në rast se cilido kryetar i zgjedhur nuk arrin ta kryejë këtë procedurë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, atëherë sërish shkohet në zgjedhje.
“Madje, edhe nëse ndodh që ata marrin detyrën dhe shpallen zyrtarisht kryetarë të komunave, atëherë shtrohet pyetja se si do të punojnë në ato komuna, marrë parasysh që në to nuk ekzistojnë më kuadrot, nuk ekziston pjesa e shërbyesve… Të gjithë ata kanë dhënë dorëheqje. Kështu që, kur ata do të duhej t’i udhëhiqnin ato vetëqeverisje lokale në ato komuna, ata nuk do të kenë në kë të mbështeten për t’i zbatuar vendimet. Nuk kanë as objekte, sepse në disa prej këtyre komunave, ata i ndajnë hapësirat me organet e përkohshme që punojnë sipas sistemit serb”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Kandidatët që, sipas rezultateve preliminare, fituan në katër komunat në veri të Kosovës, presin që të përballen me sfida, për tejkalimin e të cilave thonë se do të kërkojnë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.
Qasja fizike në objektet e komunave në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, kryetarët e rinj të tyre e pranojnë se do të jetë sfidë për ta dhe për kabinetet e tyre, për shkak se në to janë të pranishme edhe strukturat e të ashtuquajturave organe të përkohshme, që punojnë sipas sistemit të Serbisë.
Komuna e Mitrovicës së Veriut, ndërkaq, e ka objektin e saj, ku janë të vendosura shërbimet në kuadër të sistemit të Kosovës.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, si më i votuari në garën për kryetar të Mitrovicës së Veriut, tha të dielën para gazetarëve se nuk e sheh problem qasjen në objektin e komunës.
“Si në një komunë normale në një lagje mesatare të Republikës së Kosovës… Për të gjitha sfidat jemi të vetëdijshëm dhe jemi të përgatitur. Do të jem kryetar i të gjithëve, pa marrë parasysh a janë përkrahës apo jo”, tha Atiq.
Lulzim Hetemi, po ashtu kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili mori më së shumti vota për kryetar të Komunës së Leposaviqit, thotë për Radion Evropa e Lirë se, paraprakisht, ka marrë premtimin nga Qeveria e Kosovës se do të ndihmojë në funksionalizimin e institucioneve lokale.
“Tash duhet të na ndihmojë. Na ka premtuar se do të bëjë investime, si te shqiptarët, ashtu edhe te serbët. Ta shohim tash se si do të reagojë”, thotë Hetemi.