Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia ka refuzuar ankesën Lëvizjes Vetëvendosje kundër KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare, ku ka kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për LDK-në dhe kandidatët e saj.
VV-ja ka kërkuar që LDK-së t’i anulohen 18 mijë e 933 vota me postë dhe këto vota të largohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ta urdhërojë KQZ-në që ta përsërisë votimin me postë në tërësi si dhe t’i largojë nga lista e kandidatëve të LDK-së kandidatët e cekur me emër e mbiemër në arsyetimin e kësaj ankese.
Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se pretendimet e VV-së se kanë identifikuar parregullsi lidhur me procesin e votimit përmes postës, PZAP i ka vlerësuar si të pabazuar.
Po ashtu, thuhet se VV-ja ka kërkuar anulimin e rezultatit të votimit me postë, të cilat i ka marrë LDK-ja dhe kandidatët e saj, ndërsa në raport me këto pretendime, sipas PZAP-së, VV-ja s’ka asnjë provë bindëse për të dëshmuar se mbi cilat shkaqe kërkon anulimin e rezultatit të votimit me postë dhe përsëritjen e votimit me postë.
Po ashtu, VV-ja është ankuar në PZAP ku ka pretenduar se në vendvotimet në Skenderaj, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, ka marrë 94 deri në 100 për qind të votave, ku ka kërkuar të bëhet rinumërimi në disa vendvotime në këtë komunë.
PZAP-ja tha se shqyrtoi ankesën dhe se ajo është e pabazuar, pasi tha se pretendimet e VV-së janë të paqëndrueshme, të paargumentuara edhe të pabazuara.