Ukrainasit u zgjuan sot duke e parë vendin e tyre të pushtohet nga tri anët. Ka nga ta që u zgjuan vetëm pas shpërthimeve në dhjetëra qytete, përfshirë kryeqytetin, Kievin, por ka edhe të tillë që e pritën zgjuar dhe me frikën më të madhe atë që ishte paralajmëruar të ndodhte. Një sulm i gjerë i forcave ruse kishte filluar para agimit.
Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi për sulmin duke e mbajtur një fjalim herët në mëngjes. Tha se ka vendosur të kryejë një “operacion special ushtarak”. U arsyetua se po i mbronte rusët në Ukrainë, ashtu siç kishte paralajmëruar SHBA-ja se do të inskenohej arsyeja pasi të niste pushtimi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përgjigj disa orë më vonë me një fjalim të tij një minutësh. Tha se ka folur me presidentin e SHBA-së Joe Biden dhe se Shtetet e Bashkuara po mbledhin mbështetje ndërkombëtare për Ukrainën.
“Perëndimi është me ne”, tha ai dhe shpalli gjendje lufte në të gjithë vendin.
Transmetimi i papritur i fjalimit të Putinit
Para agimit, pak para se të fillonin shpërthimet në qytetet anembanë Ukrainës, televizioni shtetëror rus transmetoi papritur një fjalim të presidentit rus Vladimir Putin.
Dy “republikat popullore” të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, në rajonin e shkëputur ukrainas të Donbasit, të cilat ai e kishte njohur zyrtarisht si të pavarura para më pak se dy ditësh, “i janë drejtuar Rusisë me një kërkesë për ndihmë”, tha ai. Për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje ai po e fillonte një “operacion special ushtarak”. Qëllimi i tij: ta “çmilitarizojë” dhe “denazifikojë” Ukrainën.
Brenda pak minutash, raketat ruse filluan t’i godasin objektivat e tyre në Ukrainë. “Veprimet tona janë vetëmbrojtje kundër kërcënimeve”, u tha ai bashkëkombësve të tij rusë, duke pretenduar se Moska nuk kishte plane për ta pushtuar Ukrainën.
Fillimi i pushtimit
Pushtimi tashmë kishte disa orë që kishte nisur me një seri sulmesh me raketa që qëlluan pranë Kievit, si dhe përdorimin e artilerisë me rreze të gjatë kundër qytetit verilindor të Kharkiv, pranë kufirit rus.
Sulmi upërhap shpejt në të gjithë Ukrainën qendrore dhe lindore ndërsa forcat ruse e sulmuan vendin nga tri anët. Në orët e para të ditës, ukrainasit në qytetet Odessa, Dnipro, Mariupol dhe Kramatorsk raportuan për shpërthime të mëdha.
Detajet për viktimat mbesin ende të paqarta. Por pati dëme të konsiderueshme në dhe përreth disa qyteteve. Në Kharkiv, u shfaq video e një blloku apartamentesh që ishte dëmtuar nga një raketë ose artileri me rreze të gjatë. Një video tjetër tregonte një raketë të futur në një rrugë, ndërsa u publikuan edhe pamje të mbetjeve të disa raketave në qytetet kryesore, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e Rusisë se po synon t’i sulmojë vetëm caqet ushtarake. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave në Ukrainë raportoi se gjashtë persona kanë mbetur të bllokuar në rrënoja në Nizhyn.
Artileria e përdorur
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se raketat balistike janë përdorur si pjesë e ofensivës, ndërsa avionët u dëgjuan mbi qytetin qendror të Zaporizhzhye.
Rusët përdorën një gamë të gjerë armatimi në sulmin e tyre, duke përfshirë avionë sulmues dhe helikopterë, tanke, artileri me rreze të gjatë dhe raketa.
Pas agimit, sirenat ajrore u dëgjuan në të gjithë Kievin dhe po ashtu në qytetin perëndimor të Lviv. Pak më vonë një avion i vetëm, i paidentifikueshëm, përshkoi mbi kryeqytet.
Në një video të publikuar në Twitter, ku paraqiten pamje nga një pikëkalim kufitar mes Bjellorusisë dhe Ukrainës, u pa hyrja e baterisë së rëndë raketore ruse, “Solntsepek”.
Brenda Shtëpisë së Bardhë: Si u mor vesh nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia
Presidenti i SHBA-së Joe Biden po fliste në telefon me sekretarin e lartë ushtarak të Mbrojtjes Lloyd Austin, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, në momentet para pasi homologu i tij rus Vladimir Putin njoftoi se po fillonte një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë, përmbushja e zymtë e parashikimeve të presidentit amerikan disa javë më parë.
Sapo ka kaluar ora 22:00. ET (rreth 04:00 e mëngjesit me orën tonë lokale), aktiviteti në Krahun Perëndimor u ndal për pak kohë pasi televizionet e sintonizuara me CNN treguan ekipet që raportonin se dëgjonin shpërthime në Kiev dhe Kharkiv, duke u veshur me ngut me mjetet e tyre mbrojtëse dhe helmeta.
Në zyrat e tyre, Sullivan dhe ndihmës të tjerë punuan në hartimin e deklaratës fillestare të Bidenit, duke deklaruar se veprimet e Rusisë janë “të paprovokuara dhe të pajustifikuara” dhe duke u zotuar se “bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”. Deklarata e Biden u bë në orën 22:25. ET (pas orës 04:00 të mëngjesit me orën tonë lokale).
Fjalimi i Biden
Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë sulmi i nisur sot me urdhër të Vladimir Putinit. Bota do të kërkojë llogari nga Rusia, theksoi presidenti i SHBA-së.
“Presidenti Putin ka zgjedhur një luftë të paramenduar që do të sjellë humbje shkatërruese të jetës dhe do të shkaktojë vuajtje të njerëzve”, ka deklaruar Biden ndër të tjera.
Ukrainasit e lëshojnë vendin
Ndërsa dita filloi në Kiev, kolona automjetesh u panë duke e kaluar Urën e Veriut, duke u nisur drejt perëndimit, të frikësuar se do i gjente vdekja. Disa qytetarë tjerë të Kievit kërkuan strehim në metro.
Në të gjithë vendin u krijuan radhë të gjata në pikat e karburantit dhe bankomate. Disa njerëz u mblodhën në rrugët e Kharkivit për t’u lutur.
Nën qiellin me re, Kievi dukej se ishte në gjendje shoku. Rrugët ishin të qeta dhe shkollat e mbyllura. Aty dhe në mbarë vendin, ukrainasit sapo kanë filluar të pajtohen me një natë kataklizmike dhe me perspektivën e një të ardhmeje që duket e errët sikur qielli sot.
Askush nuk fluturon mbi Ukrainë
Një imazh nga shërbimi i gjurmimit të fluturimeve “Flightradar24” tregoi hapësirën ajrore pothuajse të zbrazur mbi Ukrainën dhe Rusinë perëndimore. Aavionët në zonë qëndrojnë larg kësaj vije kufitare.
Rregullatorët europianë të aviacionit paralajmëruan se të gjithë avionët civilë që mund të fluturojnë pranë Ukrainës mund të jenë të rrezikuar nga ndonjë sulm.
Çmimi i naftës shkon “në qiell”
Çmimi i naftës së papërpunuar shkoi në 102 dollarë për fuçi të enjten, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i autorizoi operacionet ushtarake kundër Ukrainës.
Kjo është hera e parë që nga viti 2014 që çmimi i naftës së papërpunuar shkon në mbi 100 dollarë për fuçi, shkruan The Star.
Të martën, më 22 shkurt, çmimi i një fuçie naftë në bursën Brent ishte 96.84 dollarë.
AFP sjell pamjet e njerëzve të vrarë
Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) raportoi për njerëz të vrarë në qytetin Chuguiv të Ukrainës, teksa kanë shfaqur pamje të njerëzve të vrarë pas sulmit rus.
Një gropë e raketës 5 metra e gjerë shihej në mes të disa ndërtesave, ku janë dëmtuar rëndë disa të tilla.
Ky qytet ishte nga të parët që u sulmua.
Presidenti i Ukrainës: Luftimet po vazhdojnë, armiku ka pësuar humbje
Trupat pushtuese të Rusisë kanë pësuar humbje të mëdha në territorin e Ukrainës, ndërsa luftimet po vazhdojnë, tha sot presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, raporon agjencia ukrainase e lajmeve.
Zelensky nëpërmjet një konference për media iu drejtua popullit, duke thënë se “armiku do të pësojë edhe më shumë”.
“Forcat e armatosura të Ukrainës po luftojnë vërtet shumë, duke zmbrapsur sulmet në Donbas, rajone të tjera në lindje, veri, jug. Armiku ka pësuar humbje serioze, armiku do të pësojë edhe më shumë. Ata erdhën në tokën tonë”, tha Zelensky.
Kurti, Osmani e Konjufca reaguan
Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca reaguan lidhur me zhvillimet në Ukrainë. E para qe presidentja Vjosa Osmani, e cila, sikurse liderët e tjerë, dënoi sulmin e Rusisë.