Pupovci: Vala e dytë e koronavirusit është e parashikueshme, por në arsim nuk janë bërë përgatitje për këtë fazë

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci në një intervistë për Telegrafin ka folur për organizimin e mësimit nëpër shkolla në kushte pandemie, për skenarët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që po aplikohen tashmë në Kosovë, për raportin e Bankës Botërore dhe për dëmet që ka shkaktuar pandemia në arsimin e Kosovës.

Pupovci gjatë kësaj interviste ka vlerësuar se MASH-i nuk ka bërë përgatitjet e duhura për aplikimin e skenarit C, i cili parasheh mësimin në distancë në rast të përkeqësimit të situatës me COVID-19.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës tha se deri më tani do të duhej të krijohej një situatë më e rregullt.

“Unë nuk po shoh që ka ndonjë përgatitje të veçantë për mësimin në distancë, përveç që janë bërë disa regjistrime të njësive mësimore dhe po vazhdon regjistrimi i tyre, mirëpo regjistrimi i njësive mësimore dhe emetimi i tyre është për raste emergjente, ndërkaq në këtë situatë, mendoj se është dashur të krijohet një situatë më e rregullt”, thotë Pupovci.

Sipas Pupovcit, situata e krijuar tani është e parashikueshme, për dallim nga marsi i këtij viti, kur askush nuk e priste se do të përballeshim me pandemi.

“Nuk mendoj se janë bërë përgatitjet që është dashur të bëhen, sepse ka qenë një situatë e parashikueshme, nëse në mars ka qenë situatë e paparashikueshme, atëherë tash është situatë e parashikueshme dhe nuk mund të jemi në nivelin e performancës sikur në mars e në prill të këtij viti”, u shpreh ai.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar gjatë fundjavës se ditëve në vijim do ta bëjë̈ gati Spitalin për COVID-19”, me 500 shtretër në Prishtinë.

Në intervistën për Telegrafin, Dukagjin Pupovci ka folur po ashtu edhe për dëmet që i ka shkaktuar pandemia arsimit dhe për raportin e Bankës Botërore.