Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka komentuar paralajmërimin e SBASHK-ut se do të futen në grevë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Ai tha se brenda këtij viti Ligji i Pagave mund të aprovohet.
“Adresa e SBASHKU me Qeverinë është përmes Ministrisë së Arsimit. Ata kanë shprehur pakënaqësi sa i përket ligjit të pagave që ka të bëjë me të gjithë sektorët. Unë sipas informacioneve që kam, është duke u punuar në ligj dhe brenda këtij viti pritet të ketë disa rezultate. SBASHK-u duhet të tregojë durim”, tha ai.
Sa i përket procesit mësimor, Pupovci tha se mësimi në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar me skenarin e rikthimit.
“Procesi mësimor në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar me skenarin e rikthimit, nuk ka pasur asnjë rast që për shkak të infeksionit të përdoret ndonjë nga skenarët”, tha Pupovci.
Popovci bëri të ditur se ditën e hënë mësimi do të mbahet online në ato shkolla ku do të organizohet procesi i votimit.