Pjesëtarët e Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës kanë protestuar të martën, më 2 prill, para objektit kryesor që shfrytëzohet prej Telekomit në Prishtinë, si shenjë pakënaqësie për mosmarrje të pagës së muajit shkurt.
Llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar në fund të muajit shkurt, si pasojë e një borxhi në vlerë të disa miliona eurove ndaj kompanisë tjetër telefonike Z-Mobile.
Menaxhmeti i Telekomit pati deklaruar se më 29 shkurt 2024, Telekomi kishte marrë njoftim për bllokim të llogarive.
Në protestën e së martës, Federata Sindikale e Telekomit të Kosovës, përveç kërkesës për zhbllokim të llogarive, ka kërkuar që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të bëjnë presion publik për hetim ligjor për dëmet që, sipas sindikalistëve, po i shkaktohen Telekomit.
“Kërkoj nga Kolegji i shkallës së dytë i Gjykatës Komerciale – sepse i ka mundësitë ligjore – sa më shpejt të marrë një vendim, sepse ne besojmë fuqishëm në vendimin e shkallës së dytë, sepse dy herë e kanë sjellë vendimin pozitiv, të mos na lënë pa paga, pasi pagat janë obligim ligjor me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj gjatë protestës.
Gjykata Komerciale, në vendimin e shkallës së parë, e pati lënë në fuqi urdhrin përmbarimor, që detyronte Telekomin të paguante borxhin ndaj kompanisë Z-Mobile.
Më vonë, shkalla e dytë e kësaj Gjykate, e ka kthyer lëndën në rigjykim.
Palët janë ende nëpër procese gjyqësore.
Gjatë protestës së 2 prillit, sindikalistët nuk e kanë përjashtuar organizmin e protestave edhe para objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, e as grevat e përgjithshme të punëtorëve të Telekomit, nëse nuk zhbllokohen llogaritë.
“Të gjithë ne kemi familje, 90 për qind nga ne jemi në kredi, dhe unë për vete kam marrë mesazh nga banka për mospagesën e kredisë”, ka thënë Balaj.
Mes tjerash, ai ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që të hetojë ato që i ka konsideruar “kontrata të dëmshme që janë nënshkruar në Telekomin e Kosovës”.
Telekomi i Kosovës besohet se ka nisur të ketë probleme financiare pas nënshkrimit të një kontrate më 2009 me “Dardafon.net LLC” apo si njihet me emrin tregtar Z- Mobile.
Kontrata ia pati mundësuar kompanisë Z-Mobile që të funksiononte si operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.
Kjo kontratë, që ishte konsideruar e dëmshme, është shkëputur më 2019 nga ana e Telekomit.
Kompania Z-Mobile, më pas, pati pretenduar që Telekomi i Kosovës nuk e ka përmbushur kontratën në tërësi, e ka paditur Telekomin dhe e ka fituar rastin.
Borxhi i Telekomit ndaj kompanisë Z-Mobile ka qenë fillimisht mbi 25 milionë euro. Me kalimin e kohës është paguar një pjesë e tij.
Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala.
Qeveria e Kosovës është pronare e të gjitha aksioneve të kompanisë.
Deri në vitin 2015, ajo ka qenë kompania më fitimprurëse në vend.
Sipas ekspertëve të telekomunikacionit, përkeqësimi i situatës financiare ka ndodhur si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit. /Rel/