Këto dy ditët e fundit opozita në Kosovë ka adresuar shumë kritika për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje pas raportimeve për punësim të familjarëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Pretendimet e opozitës në Kosovë janë që zyrtarë të LVV-së kanë punësuar militantë partiakë dhe familjarë të tyre në konkursin e fundit nga KEK-u, duke paralajmëruar kështu edhe kallëzime penale në gjykatë.
Në lidhje me këtë qytetarët janë shprehur të zhgënjyer, ndërkaq theksojnë se të gjitha partitë në Kosovë të cilat ishin në pushtet në këto 20 vjetët e fundit janë me njolla nepotizmi dhe punësime partiake.
Qytetari Adriatik Krasniqi tha për Telegrafin se dukuria e nepotizmit në Kosovë është praktikuar nga të gjitha partitë.
“Në sistemin e Kosovës nuk ka parti që nuk punëson familjarë ose dashamirë në institucione. Kjo ka ndodhë gjithmonë dhe nuk po ndodhë vetëm te kjo partia e fundit”, pohoi Krasniqi.
E bindje të fortë se Qeveria e tanishme në krye me Albin Kurtin nuk e bënë një gjë të tillë, ka qytetarja Shefkije Gashi.
“Nuk është në rregull me punësua familjarë edhe Albin Kurti asnjëherë nuk e bënë një gjë të tillë, asnjëherë”, u shpreh Gashi.
Kundër punësimeve politike në Kosovë shprehet edhe Isa Maliqi.
“Nuk duhet të punohet në këtë mënyrë të punësohen njerëzit e njohur. Njerëzit janë të kualifikuar dhe përfundojnë fakultete dhe ata të qëndrojnë në shtëpi ose të ikin prej këtu dhe ta lëshojnë vendin. Ne kemi pasur bindje të fortë kundrejt Vetëvendosjes që nuk i bënë këto gjëra por po më duket që prapë ka filluar edhe kjo. Këtu asnjë parti nuk është aq serioze sa duhet për vendin e vet”, tha ai.
Ndërkaq, Behgjet Neziri deklaroi se edhe ai po të ishte në pushtet do të vepronte njëjtë, duke i punësuar familjarët e tij.
“Këtu secila parti që ka ardhur në pushtet ka bërë punësime familjare. Nuk jam kundër kësaj, por edhe LDK-ja dhe PDK-ja i kanë punësuar nëpër pozita njerëzit e tyre. Edhe unë me qenë aty në pushtet do të veproja njëjtë. Sa e kisha marrë në punë një njeri të Prizrenit apo të Gjakovës e marr e punësojë të afërmin tim”, tha Neziri.
Kurse sipas Behram Shehollit, partitë të cilat më herët ishin në krye të Kosovës ishin shumë herë më keq.
“E ka mësuar këtë nga partitë e mëhershme… Ata kanë bërë edhe më zi se këta por këta po shikojnë ta marrin prapë pushtetin me këto gjëra. Por këta të gjitha nëse i bëjnë vetëm të korruptuar që nuk janë, mjafton”, vlerësoi Sheholli.
Ndërsa, edhe Xhavit Berishës nuk i duket aspak gjë e keqe, ai thotë se secili duhet t’i punësojë të afërmit e tij.
“Nuk ka asgjë të keqe, njeriu i punëson të afërmit e tij njëherë, pastaj kënd të mundet”, tha Berisha.
Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka thënë se është duke mbledhur informatat lidhur me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
AKK bën me dije se ka pranuar telefonata dhe interesime të individëve të ndryshëm në lidhje me rolin që mund të ketë ky institucion në trajtimin e këtyre pretendimeve. /Telegrafi/