Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, tha se se punëdhënësit në Kosovë përkrahin propozimet për rritje të pagës minimale.
Në emisionin SOT në KTV, Rukiqi ka thënë se ngritja e pagës minimale nuk ka ndodhur deri tash për shkak të efekteve buxhetore që sjell një gjë e tillë dhe për shkak të ndryshimeve të shpeshta të Qeverisë.
“S’është thjesht dëshirë, por kërkon ndryshime ligjore e qasje më analitike duke marrë parasysh të gjithë indikatorët ekonomikë që në pandemi disa janë përkeqësuar e disa janë përmirësuar. Ne si Këshill Ekonomiko-Social, kemi pas propozim që të jetë diku 250-270 euro nëse s’gaboj. Kjo ishte para disa kohësh, kur u kërkua një propozim nga Këshilli Ekonomik-Social. Ka hapësirë të diskutohet por duhet pasur parasysh që paga minimale nuk i zgjidh të gjitha problemet”, ka thënë ai.
Sipas Rukiqit, një pagë minimale s’mund të pritet që do të përmirësojë mirëqenien e gjithë familjes. “Supozimi i ekzistimit të pagës minimale apo arsyetimi i saj konsiston me nevojën që ajo pagë një individi t’ia mbulojë nevojat e domosdoshme për të jetuar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se punëtorët në Kosovë në pakicë të vogël kanë mbetur në paga minimale. Sipas tij, tashmë është ulur edhe gatishmëria për të punuar me pagë më të vogël.
Ministria e Financave është në finalizim të projektligjit për rritjen e pagës minimale, por niveli i saj ende nuk është vendosur. Sindikatat kërkojnë që rritja të bëhet në pragun prej 350 eurove, teksa Qeveria nuk ka përmendur një shumë të tillë. Para ardhjes në detyrë, kryeministri Albin Kurti ishte zotuar që rritja të jetë në 250 euro.