Publikohen pamje nga arrestimi i dhunshëm i aktivistëve të PSD-së, Molliqaj shihet i gjakosur

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve të kësaj partie që penguan fjalimin e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Përmes një postimi në Facebook, Kuçi ka thënë se aktivistët Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, kanë zhvilluar një aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së.

“Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe arrestuar ata”, ka shkruar ndër të tjerash Kuçi, transmeton lajmi.net.

PSD-ja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi, të cilët janë arrestuar në aksionin e sotëm.

Njoftimi i plotë:

Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata. Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi. Si e tillë, nuk mund të lejojmë asesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë.Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot.