PSG – City, përballja e klubeve që me çdo kusht e duan Championsin

Paris Saint-Germaini dhe Manchester City kanë një mundësi të hershme për të dhënë një paralajmërim në Ligën e Kampionëve, kur të përballen në derbin e madh të xhiros së dytë të fazës grupore. Ndeshja PSG – Manchester City zhvillohet të martën mbrëma (21:00) në stadiumin “Parc des Princes”.

Në këtë takim theks të veçantë do të ketë përballja e Pep Guardiolas dhe nxënësit të tij, Lionel Messi, që është rikuperuar nga lëndimi dhe do të jetë i gatshëm të startojë për PSG-në.

PSG-ja me pronarë nga Katari dhe City me financim nga Abu Dabi, kanë ndryshuar fytyrën e futbollit evropian gjatë dekadës së fundit me shpenzimet e mëdha në kërkim të lavdisë në Ligën e Kampionëve, diçka që deri më tani asnjëra prej klubeve nuk e ka arritur.

City ishte shumë afër triumfit sezonin e kaluar kur e eliminoi në gjysmëfinale PSG-në, por u mposht nga skuadra e Chelseat në finalen e luajtur në Porto. PSG-ja, nënkampion në vitin 2020, do të kërkojë hakmarrje për eliminimin e sezonit të kaluar. Por, ekipi francez tashmë e ka kapërcyer kampionin anglez me transferimin e Messit, i cili në një moment dukej më i prirë të përfundonte në “Etihad Stadium”.

“Messi flet për veten e tij, nuk kam pse ta përshkruaj. Ajo që ai ka bërë është më se e jashtëzakonshme dhe shpresoj se kundër nesh ai të jetë në gjendje të luajë për shkak se do të përfitonte futbolli”, tha Guardiola të hënën, duke pranuar se me padurim po e pret duelin kundër Messit, me të cilin shijoi sukses të madh kur ishte trajner i Barcelonës nga viti 2008 deri në vitin 2012.

“Ajo që ndodhi sezonin e kaluar nuk duhet të përmendet. Parisi ishte ekip i fortë edhe atëherë, por këtë sezon është kompletuar me Messin”.

Messi nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit të PSG-së për shkak të një problemi të vogël në gju, por gjithashtu nuk ka shënuar gol për klubin e tij të ri, të cilit iu bashkua nga Barcelona si lojtar i lirë. Në fakt, ai deri më tani ka vetëm tri paraqitje, prej të cilave vetëm një herë ka luajtur 90 minuta. Ndodhi kjo në barazimin 1:1 ndaj Brugget në Belgjikë në xhiron e parë të Championsit, ndeshje që u zhvillua para dy javësh. Ai rezultat e la ekipin e Mauricio Pochettinos prapa Cityt në Grupin A, pasi anglezët demoluan Leipzigun, 6:3, në shtëpi.

Të dyja skuadrat pritet të avancojnë nga faza e grupeve, por një humbje eventuale e PSG-së në shtëpi nga City do t’i komplikonte shumë gjërat për ekipin francez. Te PSG-ja kanë insistuar se nuk kanë fare presion sa i përket duelit me Cityn.

“Kjo nuk është një ndeshje vendimtare. Ka edhe dy ekipe të tjera të forta që kërkojnë të kalojnë në raundin tjetër”, këmbënguli mesfushori Ander Herrera, që këtë sezon ka shënuar katër gola për Parisin. “Ne nuk kemi presion për ta fituar Ligën e Kampionëve, por është diçka që ne e kërkojmë dhe do të përpiqemi ta fitojmë”.

Asnjë klub tjetër në Evropë nuk mund të ketë një treshe sulmuese të cilësisë së Messit, Neymarit dhe Kylian Mbappes, që e ka PSG-ja. Angel Di Maria mund të shtohet në këtë fazë, ndonëse argjentinasi aktualisht po vuan një ndalim në Ligën e Kampionëve pas kartonit të kuq kundër Cityt edicionin e kaluar. Messi është ai që do ta tërheqë më së shumti vëmendjen ndaj skuadrës angleze.

“E kemi parasysh se do të vuajmë shumë, por nuk do të bëjmë presion vetëm në një lojtar. E kemi parasysh se Parisi është një ekip fantastik dhe nuk e di se çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë në këtë përballje”, shtoi Guardiola.

Qasjet e klubeve nuk kanë qenë të njëjta, me Cityn që ka vënë besimin te Guardiola për të formuar një ekip fitues dhe PSG-në duke u kushtuar më shumë rëndësi yjeve individualë.

“Ne po flasim për lojtarin më të mirë në botë, por duhet të kuptojmë se ai është gjithashtu një njeri. Kështu që ekipi është i qetë dhe do të jetë një sfidë e madhe për ne. Do të përballemi me Cityn dhe trajnerin më të mirë të botë, Guardiolan. Është klub i madh, klub që ëndërron ta fitojë Ligën e Kampionëve sikurse ne. Ndoshta City është para nesh, por në ndeshje futbolli gjithçka mund të ndodhë. Do të mundohemi t’i shkaktojmë telashe dhe ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino.

E martë

Grupi A

PSG – Man. City (21:00)

Leipzig – C. Brugge (21:00)

Grupi B

Milan – Atl. Madrid (21:00)

Porto – Liverpool (21:00)

Grupi C

Ajax – Beshiktash (18:45)

Borussia D. – Sporting (21:00)

Grupi D

Shakhtar – Inter (18:45)

Real Madrid – Sheriff (21:00)