Kryeministri Albin Kurti, ka mbledhur me urgjencë Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi që e krijoi mëngjesin e të mërkurës.
Vetë Kurti në mbledhjen e 96-të të Qeverisë bëri të ditur se do ta udhëheq këtë komision dhe i njëjti do të mblidhet sot pasdite, njofton Klankosova.tv.
Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një kumtese për media bën të ditur se mbledhja e parë e këtij komisioni do të mbahet duke filluar nga ora 17:30.
Në mbledhjen e qeverisë në mëngjes, Kurti tregoi përgjegjësitë e këtij komisioni.
“Si kryeministër propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi: e para të bëjë analizën dhe ndarjen bashkëpunimit publiko-privat”.
“Reformimin e SHSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”, tha Kurti.
Mirëpo, rreth dy orë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, kur Kurti iu drejtua mediave nëpërmjet një konference ku tha se gjendja në shëndetësi është aq e rëndë saqë s’mund të merret veç Ministria e Shëndetësisë me të.
“Tash jam duke udhëhequr një Komision Ekzekutiv për Shëndetësi për të treguar që Qeveria s’ia ka lënë këtë gjë veç Ministrisë, por jo për ta zëvendësuar atë, pra unë s’do të jem ministër, qeveria e Kosovës, ministër e ka Rifat Latifin me të cilin bashkëpunoj mirë dhe ngushtë.
“Gjendja në shëndetësi është aq e rëndë saqë s’mund të merret veç Ministria me të”, tha Kurti në konferencë.
Megjithatë, nuk dihet se çka do të jetë tema e shëndetësisë që do të trajtojë ky komision në mbledhjen e parë, porse Kurti theksoi se do të ndikojë komplet në sektorin e shëndetësisë.
“Sot pasdite e kemi takimin e komisionit ekzekutiv, aty komunikimi do të shkojë në rregull dhe do të ndikojë për të mirë në komplet sektorin e Shëndetësisë, jo vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë”.