Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj në një konferencë për media ka treguar se cilat masa duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës pas rritjes së çmimeve.
Molliqaj ka thënë se duhet të bëhet funksionalizimi i Këshillit Ekonomiko Social, rritja e pagës minimale dhe lirimi i produkteve bazë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
“Togfjalëshi i preferuar i Qeverisë është ‘rritja ekonomike’. Mënyra sesi rritja ekonomike shtjellohet tregon edhe për qasjen e pushtetit ndaj masave që duhet të ndërmerr në ekonomi kur kemi rritje të çmimeve; çka ne po shohim është që ka rritje ekonomike e cila nuk po përkthehet në mirëqenie të qytetarëve të Kosovës. Përballë kësaj gjendje, pushteti me masat ekonomike po i trajton nevojat e veçanta të qytetarëve njëtrajtshëm e njëzëri, athua që janë të barabartë në parakushtet e tyre të ekzistencës”, ka thënë ai.
Sipas PSD-së, çmimet për produktet bazë, nga shtatori të vitit 2020, deri në vitin 2021, kanë pësuar rritje prej 28 për qind.
“Çmimet për produktet bazë, nga shtatori të vitit 2020, deri në vitin 2021, kanë pësuar rritje prej 28 për qind. Janë mbi 144 mijë pensionistë të cilët duhet të mbijetojnë me 100 euro në muaj; kemi një numër të madh të punëtorëve të cilët duhet të mbijetojnë me një pagë minimale prej 135 eurosh në muaj. Mund të themi lirshëm që kjo rritje enorme e çmimeve nuk ka sesi t’i prek barabartë të gjithë; një qytetar i varfër dhe një i pasur nuk kanë sesi të vuajnë njëjtë nga rritja e çmimit të bukës e vajit, miellit e qumështit”, ka shtuar ai.
Partia Socialdemokrate e sheh të nevojshme dhe të domosdoshme që me urgjencë të implementohen katër politika që veçanërisht prekin shumicën që po i vuan pasojat e rritjes së çmimeve.
“Funksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social, i cili qysh nga viti nuk është funksional, dhe qysh nga atëherë nuk ka pasur as një vlerësim të rritjes së pagës minimale. Rritja e pagës minimale në 350 euro, e cila po ashtu, qysh nga viti 2011, ka qëndruar e paprekur. Produktet bazë, për, miellin, kripa, sheqeri, buka e qumështi duhet të lirohen nga TVSH-ja dhe pas lirimit nga TVSH-ja të këtyre produkteve bazë, diferenca e rritjes së çmimit nga muaji paraprak në muajin kur është rritur duhet të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në ragim.
PSD shprehet se politikat ad-hoc të kohëve të fundit, lënë të kuptojmë që kjo Qeveri nuk ka as plan, as vision e as shqetësim mirëqenien e qytetarit.