PSD aksion me balona në ajër: Parimet e Kurtit i mori era

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aktivitet para objektit të Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar qeverisjen e kryeministrit Kurti.

Kjo parti ka lëshuar disa balona në ajër me premtimet e Kurtit, për të cilat thanë se i shërbyen për të marrë pushtetin, njofton Klankosova.tv.

“Negociatat kanë rifilluar pas sa kohësh, aty ku kanë mbetur. Për më tepër, Besnik Bislimi pranon se janë pajtuar me të gjitha marrëveshjet, përveç atë për targat KS. Ajo çka dallohet nga ky proces është tentimi për ndërrim të terminologjisë, ndërrim të tonit dhe të ritmit, por jo edhe të procesit. Sepse në të kundërtën do të kishim dëgjuar për një projekt alternativ, si propozim i KM. Kurti. Në vend të një përpjekjeje politike për përmbylljen e çështjes me Serbinë dhe hapjen e mundësive të reja zhvillimi, kemi bunkerizim të pushtetit të ri. Aty – këtu dëgjohen intervista të rralla dhe të kontrolluara mirë”, ka thënë PSD-ja.

“Ndërrimi i gjuhës me të cilin akomodohen marrëveshjet e vjetra, tentojnë amortizim të pakënaqësisë, krijim të hutisë. E kush ka nevojë për qartësi e njohuri kur në ballë prinë një politikan që e sheh vetën si bartës të fatit të historisë? E për këtë shërbim ndaj qytetarëve, ai kërkon besim të verbër. Regjimi i tij do dëgjueshmëri”.

“Nga prioriteti i shtatë, dialogun e ngriti në të tretin e të dytin, e shumë shpejt u bë i pari. E për këtë nuk dha llogari. Regjimi i Kurtit përveç që është i mbyllur sa i përket ecurisë për dialogun, ai po e bunkerizon Kosovën përmes përjetësimit të problemit me Serbinë. Me ose pa Asociacion, ruajtja e pushtetit është qëllimi i tij”.

PSD-ja ka thënë se gjuha në njërën anë dhe mungesa e transparencës, sipas saj, në anën tjetër, janë shenja që duhen lexuar.

“Përmes bashkimit të këtyre pikave vizatohet problemi. Figura del e duket. Për projekt që zgjidh problemin me Serbinë, duhet guxim. E Kurti e ka karakteristikën e liderëve autoritar: ata janë frikacak. Por sado i madh të jetë pushteti i Kurtit, qëndrimet e dikurshme nuk i fsheh dot. Ai premtoi që duhet: dialog me serbët lokal, rishikim të marrëveshjeve, kërkim falje nga Serbia, reciprocitet, dialog të hapur dhe demokratik, refuzim të Asociacionit, kërkesë për riparimin e dëmeve të luftës, nevojën e njohjes, e kështu me radhë. Por parimet e tij për dialogun i mori era”.