Protestuesit gjuajnë poça elektrik drejt objektit të KEDS-it, kërkojnë nacionalizimin e kompanisë


Një numër i qytetarëve janë mbledhur para ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) për të kërkuar furnizim të rregullt me rrymë dhe shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizavnolli.

Ata me anë të kësaj proteste duke gjuajtur me poça elektrik kanë thënë se KEDS-i duhet të nacionalizohet.

“Kjo kompani i përket Kosovës. Kjo kompani është shitur për një copë buke. Nga viti 1999-2012, KEK-u ka investuar mbi 180 milionë euro, pra është shitur për një të shtatën pjesë. Për tetë vite i kanë deklaruar fitime prej 140 milionë euro, pra nga 17 milionë euro në vit”, tha Dibran Hoxha, njëri nga organizatorët e protestës.

Dibran Hoxha, njëri nga organizatorët e protestës

Sipas tij, me ndarjen e 20 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike, qytetarët po ua paguajnë dy herë faturën KEDS-it.

“Në vendet periferike përveç që po ndalet rryma, po ndalet edhe uji. Qeveria e Kosovës i ka ndarë 20 milionë euro, ne po ia paguajmë KEDS-it dy herë faturën. Pra, ne ia paguajmë dy herë faturën, kurse Qeveria kur të ka nevojë. Pse na duhet t’ia mbajmë barrë fitimin një kompanie private, hajde ta nacionalizojmë. Ne duhet t’ia blejmë nga një biletë këtyre investitorëve”, ka përfunduar ai.

E nisur fillimisht para objektit të KEDS-it në Prishtinë, protesta pritet të zhvendoset pranë Qeverisë.

Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.