Protestohet për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, bëhet thirrje që të votohet Projektligji

“Duam paratë tona”, “Trusti është i joni, e jo i Qeverisë”, “Kriza është sot, deputetë votojeni Trustin”, ishin disa nga thirrjet që disa dhjetra qytetarë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës.

Organizatori i kësaj proteste, Adnan Jashari u ka bërë thirrje deputetëve që ta miratojnë tërheqjen e kursimeve.

“Jemi bërë këtu që t’i bëjmë thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme ta votojnë tërheqjen e Trustit. Gjendja ekonomike është alarmante, çmimet janë rritur, prandaj nuk ka kohë më shumë e durimi ka humbur”, tha Jashari, shkruan Telegrafi.

Protesta për tërheqjen e kursimeve nga Trusti | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ndërsa, Nexhar Llumnica nga Sindikata e re Korporatës Energjetike të Kosovës theksoi se gjendja socio-ekonomike në vend është e rëndë dhe se duhet lejuar kjo tërheqje.

“Kjo gjendje socio-ekonomike, pas pandemike me të vërtetë punëtorët kanë nevojë për tërheqjen e këtij Trusti, mirëpo kjo nuk do t’iu ndihmoj qytetarëve por mbarë Kosovës, duke pasur parasysh se lirohet një pjesë e madhe e parave tona”, tha Llumnica.

Protesta për tërheqjen e kursimeve nga Trusti | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Protestës i është bashkuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili është inicues i ndryshimeve ligjore që lejojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u janë bashkuar protestës.

Deputetë nga opozita janë pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e Kosovës. /Telegrafi/

Protesta për tërheqjen e kursimeve nga Trusti | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi