Propozimi i PDK-së për zgjedhje: 30 qershori ose 7 korriku

Mbrëmë janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi.

Gjatë këtij takimi, ndër të tjera u diskutua edhe rreth shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Krasniqi pas takimit tha se Kuvendi duhet të shpërbëhet brenda muajit maj.

“Unë mendoj që është e domosdoshme që të ndodh brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj nuk ka më kuptim. Në momentin që kalojmë pastaj në fazat e mëvonshme nuk mendoj që duhet. Ka kuptim zgjedhjet e parakohshme në një periudhë 7-8 muaj para zgjedhjeve të rregullta. Tre muaj, katër muaj, para zgjedhjeve të rregullta, s’ka asnjë kuptim”, deklaroi Krasniqi para mediave pas takimit.

Klankosova.tv mëson se propozimi i PDK-së në këtë takim për datën e zgjedhjeve është 30 qershori ose 7 korriku.

Ndër të tjera, kreu i PDK-së tha se pas seancës të së enjtes “shpreson që të bashkohen për votimin e mocionit”.

Afati kohor pas shpërbërjes së Kuvendit në rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është 45 ditë.

Më herët, i pari i Partisë Demokratike, pati kërkuar që data e zgjedhjeve të jetë 9 qershori, por tani është e pamundur që kjo të ndodhë për shkak të kalimit të afatit kushtetues.

Në takim, me kryeministrin Kurti ishin të ftuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Por, Abdixhiku dhe Haradinaj, e refuzuan shkuarjen në takim.