Përfaqësuesi nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Reshit Kushaj, ka bërë të ditur se sonte në orën 20:00 do të mbahet një takim ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i komisionit për arsim, Ardian Gola.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se në këtë takim do të japin përgjigjet e tyre kryetarët e niveleve komunale.
“Në orën 20:00 të mbrëmjes do të mbajmë takimin online. Në takim janë të ftuar i gjithë komisioni në krye me Ardian Golën që të jenë të pranishëm dhe t’i dëgjojnë vetë përgjigjet që do t’i japin kryetarët e niveleve komunale duke u bazuar në përgjigjet që kanë marrë”.
Kujtojmë se sot gjatë ditës komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka zhvilluar një takim ku është diskutuar lidhur me grevën e përgjithshme në arsim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Ymer Ymerin nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
Pak para përfundimit të takimit, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka propozuar që të zëvendësohet metoda aktuale e grevës me atë të mosdhënies së notave për nxënësit.
“Mund të jetë një mjet i efektshëm si presion sindikal ndaj qeverisë”, ka thënë Gola duke shtuar se kjo nuk nënkupton që të heqin dorë nga kërkesat e tyre.
Për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje, klikoni në linkun e mëposhtëm.