Prokuroria Speciale tregon çfarë do të ndodh me aferën e punësimeve në KEK

Dhjetëra persona që u punësuan së fundmi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej tyre kanë lidhje familjare edhe me menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje.

Konkursi i fundit në KEK, ku u punësuan 120 persona, duket se do t’i nxjerrë punë edhe organeve të drejtësisë.

Demokracia.com ka pyetur në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëse kanë nisur hetime për parregullsitë gjatë punësimeve të fundit në KEK.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), secilin pretendim të veprës penale, si dhe çdo lëndë e cila bie në kompetencë të kësaj prokurorie e heton”, ka thënë për Demokracia.com, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.

Për punësimin e tyre del se janë bërë shkelje të rënda ligjore.

Ky konkurs llogaritet një ndër më të mëdhenjtë, ku kaq hapur janë punësuar anëtarë partie e familjarë shefash.

Edhe KEK sot ka reaguar përmes një komunikate për media, duke thënë se janë duke i përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”.

KEK-u ka njoftuar se për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit, si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kanë pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt.