Prokuroria Speciale e konfirmon: Gjendet edhe një trupi i pajetë i sulmuesit në Banjskë

Prokuroria Speciale ka konfirmuar gjetjen edhe të një trupi të pajetë të grupit terrorist.

Sipas njoftimit të prokurorisë për media janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armatimit.

“PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat relevantë, ka udhëhequr veprimet hetuese edhe gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes – në Banjskë të Zveçanit. Rrjedhimisht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, konfirmon se, që nga momenti kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist dhe deri në këto momente, Prokurori i rastit, Naim Abazi, ishte i pranishëm intensivisht në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë sa më adekuate, të cilat do të ndriçojnë tërësisht rrjedhën fatkeqe të rastis të djeshëm terrorist. Faktikisht, PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale.