Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se ministrja Rozeta Hajdari është intervistuar sot nën cilësinë e të pandehurës “nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ për rezervat shtetërore.
Sipas njoftimit ministrja nuk është deklaruar por është mbrojtur në heshtje.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:
Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.