Këto janë produktet që patën rritje të çmimit

Niveli i përgjithshëm i çmimeve në Kosovë, i shprehur nëpërmjet indeksit të çmimeve të konsumit është karakterizuar me rritje mesatare prej 2.7 përqind në vitin 2019, thuhet në raportin e BQK-së për vitin 2019. 

Sa i përket komponentëve të IÇK-së, me rritje më të lartë u karakterizuan çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike (5.4 përqind), çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit (2.6 përqind), çmimet e restoranteve dhe hoteleve (1.4 përqind), si dhe çmimet e transportit (0.8 përqind). Ndërsa, çmimet e rrymës, gazit dhe lëndët tjera djegëse si dhe çmimet e veshmbathjes shënuan rritje më të ulët (0.1 përqind përkatësisht 0.2 përqind).

Lëvizja e çmimeve në Kosovë vazhdon të përcaktohet kryesisht nga lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e varësisë së lart të ekonomisë së Kosovës nga importet. Indeksi i çmimeve të importit shënoi rritje mesatare prej 2.3 përqind. Çmimet e lëkurës dhe artikujve të saj, si dhe çmimet e produkteve minerale shënuan rritjen më të lartë (12.9 përqind përkatësisht 12.1 përqind), ndërsa çmimet e tekstilit dhe artikujt e tekstilit shënuan rënien më të lartë (12.1 përqind). 

Indeksi i çmimeve të prodhimit u karakterizua me rritje prej 0.9 përqind. Me rritje më të lartë të çmimeve u karakterizuan prodhimi i produkteve minerale, përpunimi i produkteve ushqimore, prodhimi i mobileve, prodhimi i pijeve, etj. Ndërsa, me rënie të çmimeve u karakterizuan kryesisht nxjerrja e xehes së metalit, prodhimi i pajisjeve elektrike, prodhimi i produkteve kimike, prodhimi i metaleve, etj. /Buletini Ekonomik/