Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, për raportim të rremë të pasurisë.
Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se rasti për të cilin keni parashtruar pyetje është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit”, theksuan nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për Nacionalen.
Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj.
Berishaj dyshohet për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, pasi në formularin e deklarimit të pasurisë më 2021, nuk i ka deklaruar aksionet e tij në kompaninë private “MB Consulting”.
Pas zhvillimit të hetimeve paraprake, Anti-Korrupsioni ka proceduar lëndën kundër ambasadorit Berishaj në Prokurorinë e Shtetit më 5 gusht të këtij viti.
Lajmi është konfirmuar nga AKK-ja.
“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellësh me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjell në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për Nacionalen.
Në fund të muajit prill të këtij viti, ambasadori Martin Berishaj është implikuar në një skandal të madh financiar, të cilin e ka zbuluar mediumi slloven, Planet TV.
Ambasadori dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Berishaj i ka mohuar akuzat për shpëlarje parash. Ndërkaq, ai nuk i ka komentuar asnjëherë raportimet e mediave për fshehjen e pasurisë së tij – konkretisht aksioneve të regjistruara në kompaninë “MB Consulting”.Martin Berishajprokuroria