Prokuroria konfirmon ngritjen e aktakuzës ndaj Glauk Konjufcës

Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës për dy vepra penale ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në një prononcim për Klankosova.tv, Laureta Ulaj, zëdhënëse e kësaj prokurorie, tha se aktakuza është ngritur më 26 janar të vitit 2017.

Kryekuvendari akuzohet se më 10 gusht të vitit 2016 në Kuvendin e Kosovës, ka hedhur gaz lotsjellës.

Në takimin ku u hodh gazi, ishin të pranishëm ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Sllobodan Petroviq dhe deputeti Pal Lekaj. Me këtë rast, të gjithë personat zyrtarë u patën detyruar ta ndërprisnin mbledhjen. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndërkohë, Konjufca akuzohet se në të njëjtën kohë, gjatë përdorimit të gazit lotsjelljës ka penguar në atë kohë, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare.

Për këtë, kryeparlamentari akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.