Prokuroria e ka autorizuar policinë për të mbledhur informacione rreth deklarimeve të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, për uzurpimet në disa vende të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje”, tha Ulaj.
E Peci për këtë shkak u vu në mbrojtje të policisë.
Kjo u konfirmuar gjatë së mërkurës për Klankosova.tv nga këshilltarja e tij, Flutur Mustafa-Pllana.
“Po, ministri është nën përcjellje të mbrojtjes së afërt. Përcjellja e policisë është reflektim dhe vlerësim i institucioneve përgjegjëse ndaj seriozitetit të situatës” – ka deklaruar Mustafa-Pllana për Klankosova.tv
Të martën, i pari i MBPZHR-së denoncoi publikisht ndërtimin e 25 vilave në Jashanicë të komunës së Pejës, respektivisht në Stankaj.
Ai ka deklaruar se uzurpimi dhe tjetërsimi i pronës publike të ministrisë që ai drejton është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë.