Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit që ndodhi të shtunën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Sipas komunikatës për media me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon publikun se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, jemi njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në komunikatë.