Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë detaje për arrestimin e nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinajt.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se Haradinaj u arrestua në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Nasim Haradinaj u arrestua dje në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Stop.
Më tej në njoftim thuhet se “Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në”.
Ndryshe, dje hetuesit e Speciales kanë kryer një bastisje në zyrat e OVL-UÇK-së, ku më pas kanë arrestuar kryetarin e kësaj organizate Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.